Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli tha se shfrytëzimi i emigrantëve të ndalet

Polonia po përballet me një krizë të madhe emigrantësh ndërsa mijëra njerëz po përpiqen të hyjnë në territorin e saj nga Bjellorusia.

Autoritetet bjelloruse thonë se kampi i emigrantëve në kufi është pastruar dhe ata tani janë strehuar. Ndërkohë, disa qindra janë riatdhesuar në Irak, pasi kanë hequr dorë nga çdo shpresë për të arritur në Europë.

Rojet kufitare polake konfirmuan evakuimin e kampit, i cili vjen pas një jave tensionesh në rritje midis Bjellorusisë dhe Bashkimit Europian.

Mijëra njerëz janë mbledhur në pyjet në afërsi të kufirit në temperatura shumë të ulëta.

Lidhur me skenat tragjike të cilat po ndodhin në kufi ka reaguar edhe Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli. “Jam duke ndjekur me shqetësim ngjarjet tragjike në kufirin Poloni-Bjellorusi, ku një fëmijë 1 vjeç u gjet i pajetë  në pyll. Është e trishtë të shohësh një fëmijë të vdesë në të ftohtë në pragun e Bashkimit Europian”, ka shkruar në Twitter ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një konferencë shtypi gjatë një udhëtimi në Nigeri njoftoi se nëse do të jetë e nevojshme do të ketë sanksione të tjera kundër Minskut.

Aktivistë për të drejtat e njeriut mendojnë se akuzat mes Varshavës dhe Minskut duhet të ndalen, në mënyrë që kjo krizë humanitare  ndër më të rëndat së fundmi në Europë të përfundojë.

Klan News