Pas rënies së koalicionit në Gjermani, kancelari Olaf Scholz foli për herë të parë në Bundestag. Ai u kërkoi partive të vendit të bashkëpunojnë për të çuar përpara reforma si rritja e përfitimeve për fëmijët dhe ulje e taksave.
“Ne mund të veprojmë. Dhe prandaj jam i bindur se duhet ta shfrytëzojmë kohën që kemi për të miratuar së bashku ligje shumë të rëndësishme dhe ta bëjmë këtë për qytetarët.”
Scholz tha se Evropa ka një përgjegjësi ndaj Ukrainës, por se paratë e ndihmës nuk duhet të çojnë në shkurtimin e pensioneve.
“Ka një pyetje që duhet t’i japim përgjigje. A duhet të financohet mbështetja për Ukrainën prej 12 miliardë euro nga buxheti gjerman në kurriz të vendimeve që janë të nevojshme për të ardhmen e vendit tonë? Përgjigjja ime është jo.”
Koalicioni qeverisës tre-partiak u rrëzua pas mosmarrëveshjeve mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, duke përfshirë ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Scholz ka një betejë të vështirë për të mbajtur pozitën e tij, pasi sondazhet tregojnë se opozita konservatore e udhëhequr nga Friedrich Merz shihet si e favorizuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen gjatë muajit shkurt.
Klan News