Fjalimi i zv/presidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih shkaktoi polemika dhe reagime të shumta në Evropë.

Mes atyre që reaguan ishte edhe kancelarit gjerman Olaf Scholz i cili tha se mbetet i palëkundur kundër ekstremit të djathtë dhe theksoi se demokracia e vendit të tij nuk do të lejojë ndërhyrje nga jashtë.

“Ne vendosim vetë se si do të vazhdojë demokracia jonë. Ne jemi absolutisht të qartë se e djathta ekstreme duhet të qëndrojë jashtë procesit të vendimmarrjes politike dhe se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me ta”, tha Olaf Scholz.

Gjatë fjalimit të tij, Vance drejtoi gishtin nga Berlini për kufizimin e fjalës së lirë dhe përjashtimin e partive që shprehin shqetësime të forta për emigracionin.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ishte edhe më i ashpër kur e quajti deklaratën e Vance të papranueshëm.

“Ai foli për anulimin e demokracisë dhe nëse e kuptova saktë, ai krahasoi kushtet në pjesë të Evropës me ato në regjimet autoritare. Zonja dhe zotërinj, kjo është e papranueshme”, tha Boris Pistorius.

Fërkimet mes Berlinit dhe Uashingtonit vijnë teksa na ndajnë pak ditë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Vance u takua me bashkë-kryetaren e AfD (Alternativa për Gjermaninë) Alice Weidel në Mynih.

Social Demokratët e qendrës së majtë të Scholz janë aktualisht të tretët në sondazhe me rreth 15% të votave, ndërsa partia e ekstremit të djathtë AfD pritet të shënojë rezultatin e saj më të mirë, duke u renditur tani në vendin e dytë.

Klan News