Emisioni “Stop” në Tv Klan trajton problematikën e Rolandit, i cili është ndarë nga gruaja e nuk takon dot të birin që jeton me gjyshërit. Nëna e djalit mendon se babai nuk ka të drejtë ta mbajë apo ta takojë pa lejen e saj.

Më në fund, kur pas 6 muajsh Rolandi arrin të takojë të birin, ndeshet me kërcënimin e bashkëshortes që i kërkon të kthejë djalin se do ta denoncojë në polici.

Psikologia Gejsi Anamali thotë se babai ka të drejtë ta takojë dhe ta marrë për të kaluar kohë me të birin, për më tepër që nuk ka një vendim gjykate që përcakton oraret. Si për çudi, bashkëshortja ka bërë një kallëzim në polici, ku ka kërkuar urdhër mbrojtje, pasi sipas saj ndihet e kërcënuar edhe pse nuk kanë patur asnjë kontakt fizik.

Punonjësi i policisë: Alo, përshëndetje!

Qytetari: Përshëndetje!

Punonjësi i policisë: Si kalove?

Qytetari: Mirë, faleminderit! Si kalove ti?

Punonjësi i policisë: Mirë. Unë jam një nga inspektorët e gatshëm të Komisariatit nr 6, Tiranë. Ka ardhur ish-bashkëshortja, ish-bashkëjetuesja, nuk e di si i keni punët, këtu tek komisariati. Zonja, që është këtu më thotë: “dua t’i bëj denoncim”, thotë për fëmijën, si i keni punët.

Qytetari: Si është puna e fëmijës? Se ti je inspektor policie. Unë jam babai i fëmijës, fëmija është në certifikatën time.

Punonjësi i policisë: Zonja thotë, që ndihem e kërcënuar nga ish-bashkëshorti dhe ish-bashkëjetuesi im.

Punonjësi tjetër: Në komisariat kemi shtetasen…, e cila ngren pretendimet dhe kërkon dhe do marrë urdhër mbrojtje nga ana jonë, në lidhje me veprimet tuaja në kundërshtim me ligjin.

Qytetari: Pse janë veprimet e mia në kundërshtim me ligjin? Pse kam takuar fëmijën tim unë? Këtë e quani në kundërshtim me ligjin?

Punonjësi i policisë: Këtë, që sapo më the, do vish këtu dhe do intervistohesh nga ana jonë! Ne nuk e dimë, çfarë veprimesh ka bërë ish-bashkëjetuesja jote. Këto do vish të na i thuash në komisariat dhe secili të shikojë punën e vet!/tvklan.al