Edhe pse zhurma e debatet nuk u ndalën, seanca e kësaj të Enjteje mund të ketë kapur “rekordin” e paprekur prej muajsh, sa i takon kohëzgjatjes.
Zgjati plot 32 minuta, nën drejtimin e Ermonela Felajt e cila ia doli që mes kakofonisë së krijuar të drejtojë procesin e votimit për të gjitha projektligjet në rend dite.
Me pankarta në duar, deputetët e PD-së akuzuan mazhorancën se “votimi u krye pa kuorum” me 68 të pranishëm.
Nga ana tjetër, Felaj u kërkoi miqësisht kolegëve opozitarë që të respektojnë këtë ditë të shënuar për shqiptarët. Ishte dhe ministrja Elisa Spiropali e cila pas një heshtjeje 4 mujore në sallën e Kuvendit, vendosi t’u kërkojë deputetëve të PD-së me tone mjaft të zbutura që “palët politike të gjejnë dy fjalë të përbashkëta.”
E siç ndodh zakonisht, “shtrirja e dorës për diskutime konstruktive” as nuk u mor parasysh.
Megjithatë mazhoranca votoi Projektligjin për Burimet Ujore, Projektligjin për Turizmin, ndryshimet në Ligjin për Investimet Strategjike, dhe ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës së Ndryshuar.
Kujtojmë se PD shkoi me mungesa sot në Kuvend, pasi dje Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin me 30 ditë të Flamur Nokës, 20 ditë Bledion Nallbati dhe 5 ditë për Saimir Korreshin.
Pavarësisht “ndëshkimeve” të herëpashershme me përjashtim nga seancat plenare, duket se aksioni opozitar do vijojë për gjatë./tvklan.al