“Froni” i Selena Gomez si gruaja më e ndjekur në “Instagram” është në rrezik. Për gjatë një muaji këngëtarja ka humbur 707,880 ndjekës. Rekordet e nominimeve për Oscar për filmin e saj “Emilia Pérez” dhe videoja e saj e postuar kohët e fundit, por që më pas u fshi menjëherë, kanë dhënë efektet e tyre.

Pas vendimeve shtrënguese të Trump për emigrantët në SHBA, Selena Gomez postoi një video duke qarë për bashkëkombasit e saj.

“Të gjithë njerëzit e mi po sulmohen”, tha ajo në video, ndërkohë që qante me ngashërim.

Pas kësaj, komentet negative ndaj yllit të “Emilia Pérez” vërshuan. Mes reaguesve ishte dhe kandidati për Senatin amerikan Sam Parker i cili bëri thirrje që këngëtarja me origjinë meksikane të largohej.

Pas komenteve Gomez postoi një “Instastory” ku shkruante: “Me sa duket nuk është gjë e mirë të tregosh ndjeshmëri për njerëzit”.

Për videon e saj Selena Gomez po paguan një çmim të madh. Që kur postoi dhe fshiu videon të hënën Gomez humbi 116.833 ndjekës. Përgjatë kësaj jave këngëtarja ka pësuar rënien më të madhe të ndjekësve pasi rreth 44.151 prej tyre klikonin “unfollow” çdo ditë./tvklan.al