Vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi zv/drejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç ndërsa 4 policët tjerë janë liruar. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Jankovic, është dërguar për 48 orë në paraburgim në Serbi, për veprën “prishje e rendit kushtetues”.
“Ai është dërguar dje në Rashkë, metodë e përsëritshme kjo nga autoritetet e Serbisë… Sipas informatave që kam ai është dërguar në paraburgim për 48 orë, me akuzën për ‘prishje të rendit Kushtetues’. Akuzë të cilën vetë presidenti Aleksandar Vuçiç e përmendi në adresimin e tij gjatë vizitës në njësitin ‘Kobra’”, tha Sveçla..
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka zhvilluar takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Jam i shqetësuar për këtë çështje sepse është dikush të cilin ne e njohim ndër vite dhe e kemi ndihmuar për integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës pavarësisht etnisë. Ne jemi të shqetësuar dhe shpresojmë që të lirohet shpejt”, tha ai.
E kryeministri Albin Kurti vlerëson se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë.
“Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe uroj që ky trimërim i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re në të cilin do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz”, tha Kurti.
10 policë të Kosovës janë ndaluar dje nga shteti i Serbisë në disa pika kufitare. 5 prej tyre janë liruar menjëherë ndërsa 4 të tjerë sot. Njëri nga ta, vazhdon të mbahet në paraburgim.
Tv Klan