Me votën e 11 Majit, kryesocialisti Rama ju tha anëtarëve të asambleve socialiste të njësive të rrethinave të kryeqytetit, se shqiptarët do vendosin për fatin e antarësimit në BE.
“Ky është një mision patriotik, nuk është thjesht çështja “Hajde se do votojmë për PS-në”, nuk është thjesht çështja “Hajde se ne jemi me PS-në dhe për PS-në do votojmë”, nuk është çështja “Po mirë se nuk kemi për kë votojmë tjetër e do votojmë për PS-në”. Jo, çështja është që do votojmë për PS-në sepse vota për PS-në është vota për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Të tjerët harrojeni, harrojeni nuk ndodh”, u shpreh Rama.
Për pakënaqësitë që mund të kenë jo vetëm shqiptarët në përgjithësi, por dhe vetë anëtarët e kësaj force, Rama u kërkon që kur të votojnë dhe të kërkojnë votat për PS-në, të kujtojnë reformat e bëra në 10 vite.
“Jam i sigurt që këtu të gjithë kanë, jo vetëm vërejtje dhe kritika për të bërë, por kanë dhe të drejtë në vërejtjet dhe kritikat që mund të bëjnë, por ama, nga ana tjetër, duke qenë drejtues të Partisë Socialiste atje në qendrën tuaj të votimit, ju më mirë se çdokush tjetër duhet që nga njëra anë, tua njihni njerëzve aty rrotull të drejtën që kanë për të pasur ankesa, por nga ana tjetër t’jua kujtoni mirë atyre të gjitha ato gjëra që janë bërë sepse janë bërë gjëra më shumë, në 10 vite janë bërë më shumë gjëra sesa në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku”, tha Kryeministri Rama.
Ulja e çmimit të energjisë, rritja e pagave, bonuset e pensionistëve, taksat zero për biznesin e vogël, por dhe investimet në shëndetësi dhe infrastrukturë, Rama thotë se janë prova të mjaftueshme e atyre që kjo shumicë ka bërë.
Tv Klan