Një sasi tritoli shpërtheu në derën e banesës së Ardian Fierzës në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit e për pasojë pati vetëm dëme materiale.

Kjo është hera e dytë në pak muaj që ndaj 52-vjeçarit Fierza organizohen sulme me eksploziv. Herën e parë, më 29 Gusht atij iu vendos një sasi lënde plasëse në derën e biznesit të tij, një agjenci funerale pranë Spitalit të Shkodrës.

Shpërthimi i regjistruar në derën e banesës së 52-vjeçarit, e ka çuar në 23 numrin e sulmeve me tritol, të regjistruara përgjatë 2024 në të gjithë vendin.

Shkodra është qarku më problematik sa i takon numrit të rasteve të regjistruara, 12 të tilla brenda këtij viti. Objektiv i këtyre sulmeve, në disa raste kanë qenë punonjës policie, por dhe gjyqtarë.

Edhe Tirana nuk mbetet pas, me sulmet e regjistruara. Në kryeqytet përgjatë këtij viti janë regjistruar 5 shpërthime me eksploziv, ku fatmirësisht janë regjistruar vetëm dëme materiale.

Nga 23 ngjarjet me tritol, policia ka mundur të zbardhë vetëm 2 prej tyre, ndërsa për pjesën tjetër hetimet vijojnë me autorët ende në arrati.

Tv Klan