Pas barazimit me Egnatian, Partizani do të kërkojë të rikthehet te fitorja dhe përballë në ndeshjen e javës së 17-të do të jetë Bylis.
Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Aleksandar Veselinovic vlerësoi kundërshtarin, por shtoi se skuadra e tij duhet të mendojë vetëm për veten.
Sipas tij, të gjithë duhet të jenë në nivelin e klubit dhe emrit Partizani që përfaqësojnë.
“Çdo ndeshje që vjen është e ndryshme. Egnatia renditet pas nesh. Ne duhet të mendojmë vetëm përpara. Jam i sigurt që do të luajmë ndaj një tjetër skuadre shumë të mirë. Përpara një jave ata arritën 3 pikët ndaj Vllaznisë. Kanë dhuruar paraqitje mjaft të mira ndaj Egnatias, Vllaznisë. Ndeshjen e fundit me Elbasanin në pjesën e parë ata ishin në avantazh 1-0, por më pas u ndëshkuan me karton të kuq. Kushtet e fushës së tyre janë disi të veçanta.
Fakt është që ne ndryshojmë fushën nga bar artificial në bar natyral. E theksoj që janë një skuadër e mirë, por ne duhet të mendojmë për veten tonë. Si gjithmonë na duhet përqendrim dhe të fokusohemi në idetë tona. Si gjithmonë. Ne kemi ambiciet tona , të jemi të qartë, duhet të jemi në nivelin e klubit dhe emrit Partizani kjo është ajo që synojmë”, deklaroi Veselinovic.
Ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit do të luhet në Ballsh ditën e Hënë, duke nisur nga ora 13:30. /tvklan.al