Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia po punojnë së bashku për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian brenda vitit 2014.
Kështu shkruan e përditshmja serbe, Danas, e cila duke cituar burime nga institucione ndërkombëtare dhe qeveria e Beogradit shprehet se amerikanët kërkojnë që çështja e vendeve të Ballkanit të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që në rajon të sigurohet përfundimisht paqja dhe stabiliteti.
Amerikanët duket se për të arritur këtë synim, i cili po kështu është një prioritet për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor ka gjetur një aleat të fortë siç është Athina zyrtare, e cila ka marrëdhënie të ngushta si me amerikanët ashtu edhe me vendet e Ballkanit. Madje Danas shkon edhe më tej duke shkruar se data e caktuar për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian është 28 Qershori i 2014-ës.
Për diplomatët e malit të zi është logjike që SHBA të mbështesin këtë plan, sepse ka të bëjë me integrimin evropian të Ballkanit, zgjidhja më e mirë e të gjitha problemeve në rajon. Aleksandra Joksimovic, ish shefe e diplomacisë shprehet:
“Integrimi evropian i rajonit do të ulë tensionet dhe do të vendosë pika strategjike të cilat kanë një rëndësi kyçe për amerikanët, siç janë Bosnja dhe Kosova. Duhet të merret në konsideratë se një iniciativë e tillë mund të propozohet formalisht nga vetë Bashkimi Evropian dhe jo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ka edhe një mundësi, që ky të jetë një propozim i shteteve të vogla të bllokut, jo nga fuqitë e mëdha, sepse do të hapte problemin e dominimit në BE. Greqia është vendi perfekt që ka profilin e duhur” .
Sipas saj, kjo iniciative mund të bëjë të mundur që të gjitha vendet e Ballkanit të hyjnë në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë, çka mund të kërkojë edhe një marrëveshje brenda grupit.
Plani i Uashingtonit doli në dritë nga deklarata e kryeministrit Jorgos Papandreu,i cili gjatë vizitës së tij në Turqi propozoi në mënyrë të qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në Bashkimin Evropian në 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, një deklaratë kjo, që u diskutua edhe në takimin e Papandreut me Ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç./tvklan.al