Kryeministri për tv francez: I mrekullueshëm ndryshimi i imazhit të Shqipërisë
Në reportazhin kushtuar vendit tonë, kryeministri Rama theksoi se “nuk është një proces i parashikueshëm, sepse është një politikë e përhershme në Union, politika e brendshme e vendeve”.
“Më kujtohet diçka që më ka thënë shumë kohë më parë Michel Rocard: Duhet të kuptosh se të negociosh me Bashkimin Evropian për t’u anëtarësuar në të është një proces i ngritjes së vendit tënd. Ne duhet të ndërtojmë një shtet ligjor.
Imazhi që është krijuar për vendin tonë jashtë është një stereotip për Shqipërinë dhe shumë larg realitetit shqiptar.
Nuk dua të them se nuk ka korrupsion, gjithsesi Shqipëria ka probleme me korrupsionin pikërisht sepse ne ende nuk kemi shtet ligjor dhe institucione të afta për të luftuar të gjitha këto fenomene”, është shprehur Rama.
I pyetur se çfarë Shqipëria do t’i sjellë Europës, Kryeministri nënvizoi se “Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit”.
“Mendoj se është më konkrete se çfarë mund t’i sjellë Ballkani Evropës. Më shumë siguri, jo vetëm në kuptimin ushtarak, por edhe në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, drogës, më shumë siguri, më shumë unitet, sepse është paksa si stomaku i Evropës. Ndaj nuk është ide e mirë që ta kesh stomakun të shkëputur nga trupi, sepse mund të krijojë shumë probleme”, është shprehur kryeministri.
Pyetjes nëse ky është mandati i fundit apo ka ndërmend të vazhdojë më tej, kryeministri iu përgjigj: “Të shohim, kam mësuar se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që bëjmë plane të tjera. Ne duhet ta lëmë jetën të vendosë në vend që të pretendojmë të vendosim për jetën”.
Rama vlerësoi se “pak nga pak ka filluar një ndryshim lidhur me imazhin e Shqipërisë në Francë”.
“Gjithmonë e më shumë francezë po vijnë në Shqipëri. Është vërtetë e mrekullueshme që kjo po ndryshon. Dhe për më tepër, kur njerëzit vijnë në Shqipëri ata mbeten pa mend, sepse Shqipëria që gjejnë është krejtësisht e ndryshme nga Shqipëria që imagjinonin duke lexuar këto artikuj stereotipie për krimin, drogën, mafien”, ka thënë ai.
Gjithashtu, i pyetur nga gazetari se si vizaton gjatë takimeve, Rama shprehet se “është syri dhe dora që punojnë së bashku ndërsa veshi dhe vëmendja janë tek ai që flet. Mund ta bëj këtë kur të tjerët flasin”.
Klan News