Shtetet e Bashkuara mirëpritën zgjedhjen e belgut Herman Van Rampi në postin e presidentit të Bashkimit Evropian dhe britanikes, baroneshës Kethrin Ashton si përfaqësuese e lartë e Politikës së Jashtme.

Përmes një deklarate, presidenti amerikan Barack Obama tha se emërimet e tyre do të forcojnë edhe më tej Bashkimin Evropian, duke e kthyer në një aleat më të fortë për Shtetet e Bashkuara.

Në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se amerikanët nuk kanë partner më të fortë se Evropa për të realizuar më tej sigurinë dhe paqen në botë.

Për sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, zgjedhje e Rampi dhe Eshton përbën një gur themeli për Evropën dhe rolin e saj në botë.

Veç amerikanëve edhe liderët e Bashkimit Evropian përshëndetën dy figurat e reja që do udhëheqin bllokun 27 anëtarësh.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se dy personalitet janë zgjedhja më e mirë.

Kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozy vlerësuan maksimalisht kryeministrin belg, në një kohë që kryeministri britanik Gordon Brown hodhi poshtë akuzat e analistëve, të cilët thanë se baronesha Eshton nuk ka forcën e duhur politike për të mbajtur një post të tillë, dhe që e cilësuan zgjedhjen e saj një shenjë e vëmendjes së madhe ndaj Britanisë.

Në konferencën e parë për shtyp Eshton tha se synim kryesor do të jetë fuqizimi i rolit të BE në arenën botërore.

Ndryshe nga mediat e tjera, të cilat vunë në dyshim aftësinë e dy figurave të reja për të marrë drejtimin e bllokut 27-anëtarësh, mediat belge kanë mirëpritur zgjedhjen e Rampi në krye të BE.

Disa e cilësuan lajmin një shenjtërim e të tjera thjesht me një “po”. Në Britani titujt e gazetave fillojnë nga habia deri tek zemërimi.The Guardian shkruan se Eshton është një figurë e turbullt.

Në Turqi mediat citojnë deputetë të parlamentit të cilët janë shprehur të shqetësuar lidhur me aspiratat e Turqisë për të hyrë në BE, duke qenë se presidenti i ri në vitin 2004 deklaroi se Turqia nuk është e nuk do të jetë kurrë pjesë e Evropës./tvklan.al