Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë, duke përmendur në veçanti gjendjen në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje të Bosnjë Hercegovinës, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e vogël në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës.
Gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar prej vitit të kaluar, veçanërisht pas një sulmi nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si pasojë e të cilit u vra efektivi Afrim Bunjaku dhe tre sulmues.
Së fundi, NATO-ja ka zhvendosur trupa shtesë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ata dërgojnë “mesazh të qartë” të vendosmërisë të fortë të aleancës për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Rutte u zotua se NATO-ja do të mbetet fuqimisht e përkushtuar për misionin e vet në Kosovë, KFOR, i cili ka mbi 4.400 trupa ushtarake në vend.
Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një mjedis të qetë dhe sigurt për të gjithë popullin e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes. Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet i fuqishëm edhe sot.
NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Klan News