6 të zhdukur, 2 persona shpëtohen
Ky filmim tregon momentin tragjik kur një urë në qytetin e Baltimores në Shtetet e Bashkuara, shembet pasi një anije mallrash u përplas me një nga këmbët e saj. 6 punëtorë rezultojnë të zhdukur, të cilët në orën 01.30 të natës kur ura u shemb, punonin për riparimin e saj. Ekipet e emergjencës kanë shpëtuar deri më tani 2 punëtorët e tjerë, njëri prej të cilëve ndodhet në spital në gjendje të rëndë nga plagët e marra. Në lumin Patapsko përfunduan edhe 7 automjete, që ndodheshin mbi urë në momentin e ngjarjes.
Pavarësisht se një pjesë e urës ra mbi të, anija e mallrave me flamur të Singaporit, e quajtur Dali nuk u fundos. Asnjë nga pjesëtarët e ekuipazhit nuk u lëndua.
Guvernatori i Merilendit shpalli gjendjen e emergjencës në gjithë shtetin federal, pasi kjo konsiderohet si ngjarje e mundshme me shumë viktima. Nga hetimet e deritanishme rezulton që 5 minuta para përplasjes me urën, anija devijoi drejtim, ndoshta për shkak të rënies së papritur të fuqisë së motorit për arsye mbeten për t’u hetuar. Ekuipazhi i anijes mësohet se kishte njoftuar thirrjen për ndihmë, Mejdei për avari përpara se të përplasej me këmbën e urës.
Për këtë ngjarje reagoi dhe presidenti Joe Biden, i cili tha se nuk ka ndonjë indikacion që shembja e urës është shkaktuar nga një akt i qëllimshëm. Ura Frensis Skot Ki e ndërtuar në vitet ’70 është 2.5 kilometra e gjatë, ndër më të mëdhatë në botë.
Tv Klan