Prej vitesh shumë shërbime i kryejmë online. Është parë dhe faktuar se shumë abuzues e kanë më të lehtë të lulëzojnë në platforma digjitale. Jo pak raste janë denoncuar në redaksinë e emisionit “Stop” për produkte që rezultojnë mashtrim.

Rrjeti është i tejmbushur me profile të pabesueshme, të cilët peshkojnë viktimat që duke u joshur nga çmime të arsyeshme, bien pre e mashtrimeve. Një nga rastet flagrante është për një produkt për të cilin thuhet se shëron kancerin.

Duke parë se faqja “Bota Bio Shop” reklamonte vajin e gurit me vlerë 20 Euro, që shëron kancerin, “Stop” bën një porosi të tillë ku theksohet se vaji i gurit shëron kancerin, pa pyetur fare se për çfarë kategorie tumorale kërkohet. 

Mjeku alternativ, Irfan Gjeci tha se duhet bërë kujdes i madh për produktet që tregtohen në platformat digjitale.

“Nëse do të flasim për vaj gurin dhe vlerat e tij, duhet të ketë origjinën se nga vjen. Pra nëse ai blihet në burime të sigurta mund ta marrësh dhe mënyrën e përdorimit. Pra këtu është dhe diçka abuzive kur flitet që mund të shërojë tumorin”, tha Irfan Gjeci.

Bruna Shiroka, mjeke shpjegon se është për të ardhur keq, sesi mund t’i besohet internetit dhe jo mjekut, madje as terapisë.

“Gjithkush ka të drejtën të reklamojë dhe të ofrojë një produkt në treg, por përdorimi i tyre për arsye shëndetësore vë një pikëpyetje të madhe. Qëndrimi i çdo personi pranë një produkti të shprehur online krahasuar me punën që bën çdo mjek, flas për përditshmërinë tonë. Nëse duhet t’i ofrohet një produkt, një suplement sikundërse i ofrohet rëndom në rrjetet sociale dhe sikundërse konsumohet për fat të keq shumë në rrjetet sociale një pacienti duhet t’i sqarosh gjithçka për produktin. Dhe e thënë nga një profesionist ka vlerë, duke pasur parasysh dhe efektet anësore dhe ndërveprimet medikamentoze sepse e preka këtë dhe vërtet është shumë e rëndësishme që nëse një pacient trajtohet për sëmundje të ndryshme dhe kryesisht këta janë pacientët që drejtohen për të marrë suplemente në rrjetet sociale duke menduar që do të shërohet apo shmanget një sëmundje dhe eliminojnë medikamentet. Në fakt nuk ndodh kështu, efekti më pak e dëmshmja është nëse ky medikament nuk bën asnjë efekt, përveç dëmit ekonomik i cili është, por nuk cenon jetën. Një person, një familjar, e kam provuar vetë më është dashur të hulumtoj, por kurrsesi nuk kam rënë në batak për të besuar që përdorimi i vajgurit për të shëruar sëmundjet malinje. Përdorimi i këtyre substancave duke shmangur në kohë përdorimin e terapisë së përcaktuar, janë mendje të shquara, janë vite punë që kanë nxjerrë protokolle dhe skema mjekimi të cilat ne nuk mund t’i ndryshojmë me një publikim, me një hamendësim apo eksperiment në internet. Përdorimi i tyre jo vetëm që nuk sjell asnjë efekt, por zgjat kohën në të cilën ti duhet të ndërhysh me terapi”, tha mjekja./tvklan.al