KPA rrëzon vendimin për Gentian Osmanin

Mjaftoi kjo gjetje e Komisionerit Publik që prokurori Gentian Osmani të largohet nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit që shqyrtoi ankesën e Komisionerit Publik, konstatoi se 99% e gjetjeve të ONM-së në lidhje me problemet e pasurisë së Osmanit kanë qenë të pabazuara, por ajo që e ka vendosur fatin e tij, ishin deklarimet për vitet 2011-2013 që nuk justifikojnë shpenzimet dhe kursimet.

Osmani kaloi shkallën e parë të vetingut një vit më parë, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, me argumentin se prokurori nuk bindi me deklarimet e pasurisë. Osmani që njihet si një nga prokurorët e çështjes Tahiri, është anëtari i dytë i KLP-së që shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas Antoneta Sevdarit, ish-prokurore e Shkallës së Parë.

Tashmë pritet që Kryeprokurorja Arta Marku të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorisë për të zëvendësuar Gentian Osmanin, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Paraditen e së mërkurës drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda, Altin Dumani u konfirmua në detyrë nga KPK. Dumani shihet si kandidati favorit për drejtimin e SPAK, për shkak se është renditur i pari për aftësitë e larta profesionale nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Tv Klan