Policia franceze ka shkatërruar një grup shqiptar të trafikut të drogës. Hetimet kishin nisur një vit më parë ndërsa u sekuestrua heroinë e kokainë me vlerë 500 mijë euro si dhe u bllokuan 400 mijë euro kesh, llogari bankare dhe disa automjete luksoze. Janë arrestuar 17 persona, shumica me lidhje farefisnore nga qyteti i Vlorës.
Sipas mediave franceze, grupi shqiptar vepronte në zonën e Savojes. Operacionet u koordinuan nga Europol dhe u zhvilluan në Francë, Belgjikë e Holandë e Zvicër.

Drejtuesi i grupit jetonte në Lion dhe organizonte së bashku me disa shqiptarë të tjerë, trafikun nga portet e Holandës dhe Belgjikës dhe më pas droga shpërndahej në zonën e Savojës.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 3 kilogramë heroinë, një kilogram kokainë dhe disa dhjetëra kilogramë lënda kanabis. Gjithashtu mësohet se këtij grupi iu sekuestruan ditët e fundit në Zvicër 9 kilogramë heroinë dhe 2 kilogramë kokainë.
Sipas mediave, kjo bandë zotëronte një arsenal të rëndë armësh zjarri dhe dyshohet se ka qenë e përfshirë në një atentat ndaj një rivali në Shqipëri.

Po ashtu ata akuzohen edhe për një grabitje të armatosur të një ngarkese me 395 kg marijuana, ngjarje që ka ndodhur në shkurt, në Bruksel.
Klan News