Policia e Shtetit bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë evidentuar 43 shoferë të cilët shkelën urdhrin e ndalimi qarkullimit, dhe iu hoq patenta dhe iu bllokua mjeti.
Në Gjirokastër është arrestuar në flagrancë shtetasi J. C., 23 vjeç, banues në Këlcyrë, sepse gjatë pasdites së djeshme, në qytetin e Këlcyrës, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi një motoçikletë pa targa.
Në kuadër të këtyre masave, në të gjithë vendin janë gjobitur me 100 mijë Lekë të vjetra 330 qytetarë, të cilët u konstatuan duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në Tiranë është proceduar penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasi M. I., 22 vjeç, banues në Kavajë, pasi po lëvizte gjatë orarit të kufizuar të lëvizjes dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me vrap.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë 4 persona dhe bllokim mjeti për 3 muaj, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 6 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. /tvklan.al