Kombëtarja e vajzave U-19, u mposht 1-2 nga Bjellorusia, në ndeshjen e fundit në Grupin B1, për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” ishte shumë e luftuar nga të dyja ekipet, ndërsa në fund fitimtare dolën bjelloruset.

Skuadra mike kaloi e para në avantazh në minutën e 27-të, me anë të Putsykovich. Shqipëria provoi të reagojë, por sërish golin e gjeti Bjellorusia në minutën e 85-të, që dyfishoi shifrat.

Për Kombëtaren kuqezi, në minutën e 88-të, Rosela Vasa ngushtoi diferencat në 1-2, në atë që ishte edhe rezultati përfundimtar i sfidës.

Bjellorusia u rendit në vendin e parë me 9 pikë në tre ndeshje, ndërsa Shqipëria e mbylli aventurën kualifikuese në vendin e dytë me 6 pikë, në Grupin 1, në Ligën B.

Vendet e para të grupeve kalojnë automatikisht për në Ligën A, ndërkohë që pritet përfundimi i të gjitha ndeshjeve për të përcaktuar edhe vendin e dytë më të mirë që gjithashtu ngjitet një ligë më lart. /tvklan.al