Dy vrasje të ndodhura në një hark të shkurtër kohor nga mbrëmja e djeshme deri mëngjesin e sotëm kanë tronditur qytetin e Shkodrës.
Rreth orës 7 të mëngjesit të kësaj të marte, Abdullah Durra, 50 vjeç ka qëlluar me pistoletë fqinjin e tij 52-vjeçar, Agim Tahiri. Shkak i grindjes mes tyre është bërë një sasi zhavorri që viktima kishte hedhur përpara shtëpisë së autorit, për të mbuluar baltën e rrugës.
Ngjarja ndodhi në lagjen Iliria të qytetit të Shkodrës e njohur ndryshe si lagja e romëve. Pas kryerjes së krimit 50-vjeçari i dënuar edhe më parë për vrasje është vetëdorëzuar në polici.
Një natë më parë një plumb në kokë dhe dy në gjoks i kanë marrë jetën biznesmenit të ndërtimeve Arben Bitani.
45 vjeçari i lindur në Barbullush e banues në Shkodër është ekzekutuar në makinën e tij nga Afrim Raboshta, pronar i një kompleksi hotelier në fshatin Barbullush.
Sipas policisë së Shkodrës, mësohet se viktima dhe autori i kanë qenë bashkë në një lokal në qendër të fshatit Barbullush e më pas në automjetin e viktimës, ku vetëm 500 metra pas nisjes me makinë rreth orës 17:00 ka ndodhur vrasja.
Ka qenë vetë autori i vrasjes Afrim Rraboshta qe ka njoftuar policinë për krimin e kryer, ndërsa 4 orë më vonë ai është vetëdorëzuar ./tvklan.al