Vendimi për largimin e oficerit të sigurisë nga shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ka nxjerrë në protestë prindërit, të cilët e shohin këtë veprim si një cenim të sigurisë së fëmijëve të tyre. Ata kanë shprehur hapur shqetësimin, duke deklaruar se do të hartojnë edhe një peticion, krahas protestave, për të kërkuar rishikimin e situatës së krijuar.
Nga ana tjetër, drejtuesja e komanduar e shkollës, Eda Deveja, ka bërë të ditur se njoftimi për largimin e oficerit të sigurisë ka mbërritur në adresën elektronike të shkollës vetëm një ditë më parë, duke krijuar shqetësim për komunitetin arsimor. Ajo sqaron se, sipas vendimit nr. 433, pika 1, caktimi i oficerit të sigurisë në shkollat e arsimit të mesëm të lartë (AML) bëhet për çdo 80 nxënës. Largimi i një nxënësi ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi, i cili, sipas saj, është marrë nga AKAP (Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar), autoriteti përgjegjës për oficerët e sigurisë.
Megjithatë, Deveja thekson se nga ana humane mund të bëhen përjashtime, pasi shkolla “Jan Kukuzeli” ka një strukturë të veçantë që përfshin tre cikle arsimore, me nxënës nga mosha 7 deri në 18 vjeç.
Në një kohë kur siguria e shkollave është shndërruar në një nga çështjet më të rëndësishme, vendimi për largimin e oficerit të sigurisë nga një prej shkollave kryesore të Durrësit ngre pikëpyetje mbi përparësitë në sektorin e arsimit dhe tregon se problematikat mbeten konkrete dhe të pazgjidhura.
Klan News