Numri i viktimave nga tajfuni Yagi në Vietnam ka shkuar në 233. Punonjësit e kërkim – shpëtimit gjetën më shumë trupa në zonat e goditura nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet.
Kryeministri i Vietnamit Pham Minh Chinh ka vizituar zonat e prekura dhe u ka kërkuar punonjësve të emergjencave të përqëndrohen në gjetjen e të zhdukurve.
Në të gjithë Vietnamin, 103 persona janë ende të zhdukur dhe më shumë se 800 janë plagosur.
Rreth 500 punonjës të emergjencave dhe qen nuhatës janë mobilizuar për kërkimin e të zhdukurve ndërsa të afërmit e viktimave presin me ankth të mësojnë për fatin e të dashurve të tyre.
Rrugët e dëmtuara të shumë fshatrave për shkak të rrëshqitjes së dheut gjithashtu pengojnë përpjekjet e shpëtimit pasi pajisjet e nevojshme nuk mund të sillen në zonat e prekura.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, tha se tajfuni ka dëmtuar rreth 550 objekte shëndetësore, 800 shkolla dhe më shumë se 100,000 shtëpi, duke lënë më shumë se 3 milionë njerëz pa akses në ujë të pijshëm.
Unicef po punon me qeverinë dhe partnerë të tjerë për të ofruar ujë të ambalazhuar dhe ndihma të tjera urgjente në zonat më të goditura.
Ndërkohë,niveli i ujit në Hanoi po bie, por ende shumë qytete mbetën të zhytura në ujë dhe ekspertët parashikojnë mund të duhen ende disa ditë që situata të përmirësohet. Yagi ishte tajfuni më i fortë që goditi Vietnamin në dekada.
Klan News