Franca drejt izolimit të tretë kombëtar, shtohen sërish infektimet

Koronavirusi tejkaloi një tjetër tavan global shifrash prej 100 milionë të prekurish këtë të Mërkurë. Ky nivel i ri i lartë u arrit rreth një vit pas shfaqjes së rasteve të para të infektimit në Kinë.

Shifra është një këmbanë alarmi që i kujton gjithë globit shpejtësinë e përhapjes së virusit që i ka marrë jetën gati 2.2 milionë njerëzve, ritme të cilat mund të përshpejtohen nëse nuk veprohet shpejt dhe në mënyrë të njëtrajtshme e të ndershme.

Teksa infektimet ditore në pjesën më të madhe të vendeve ruajnë tendencën rënëse, në Francë qeveria nuk përjashton mundësinë e shpalljes për të tretën herë të bllokimit kombëtar. Shifrat e infektimeve kanë nisur të rriten sërish pas një periudhe rënieje të ndjeshme si rezultat i izolimit të dytë kombëtare në muajt e fundit të vitit të kaluar. 24-orëshin e fundit, Franca u rikthye në krye të vendeve të kontinentit për sa i përket infektimeve ditore.

Në vendet e tjera si Gjermani, Britani të Madhe e Shtetet e Bashkuara, problem janë shifrat e larta të viktimave, për shkak të mbingarkesës në spitale, nëpër rajone të ndryshme. Ndërsa në Rusi, shifrat në rënie të pandemisë kanë bërë që autoritetet të planifikojnë lehtësimin së shpejti të masave kufizuese. 

Tv Klan