Maqedonia e Veriut filloi fazën e parë të procedurave për vlerësimin e përputhshërmisë së ligjeve të saj me ato të Bashkimit Evropian. Një delegacion i udhëhequr nga Zëvendës-kryeministri maqedonas për Çështjet e Integrimeve Evropiane, Bojan Mariçiç ndodhet në Bruksel ku njoftohet se është hapur një prej kapitujve të kuadrit të bisedimeve për integrim në BE që ka të bëjë me vlerat fundamentale.
Zoti Mariçiç ka theksuar në takim se bisedimet e transfomojnë Maqedoninë e Veriut në një shtet më të mirë; se pas 17 vjetësh pritje qytetarëve të vendit të tij u është dhënë një shans historik për një të ardhme evropiane. “Procesi i vlerësimit të përputhshmërisë së ligjeve bën thellimin e reformave që përfshijnë zbatimin e rregulloreve evropiane dhe bëjnë që shteti të funksionojë në frymën evropiane”, është shprehur zyrtari i lartë maqedonas në Bruksel.
Ndërkohë, Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski në një shkrim në rrjetet sociale e quan ditën e sotme si tejet të rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendit, “të cilët meritojnë të jetojnë në një shoqëri të qëndrueshme, demokratike dhe evropiane”, shprehet ai.
Megjithatë, faza e dytë e bisedimeve me BE-në pritet të jetë tepër më e vështirë, për shkak se kërkon rishikimin e Kushtetutës, në të cilën duhet të njihet pakica bullgare. Për këtë do të nevojitet dy e treta e votave në parlament, që koalicioni i partive në pushtet nuk e ka.
Nga ana tjetër, opozita me VMRO-DPMNE-në në krye po përpiqet të organizojë një referendum kundër Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Sofja dhe Shkupi në muajin korrik e pranuan atë që u njoh si propozimi francez për zgjidhjen e problemeve në mes tyre, gjë që shtyri Bullgarinë të heqë veton për çeljen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në. /VOA