Avokati i Popullit njoftoi këtë të premte nisjen e një hetimi administrativ për shoqërimin e disa të miturve të cilët morën pjesë në protestën e organizuar të enjten në Tiranë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni, nga mediat online, por edhe shoqëria civile dhe organizata të saj, lidhur me shoqërimin e disa të miturve nga forcat e Policisë së Shtetit, pjesëmarrës ose në mënyrë rastësore të pranishëm, në protestën e zhvilluar dje në kryeqytet. Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e hetimit administrativ të shqyrtimit të çështjes me nismën e vet, për rastin në fjalë”.
Duke shprehur shqetësimin e mungesës së zbatimit të rregullave sa i përket shoqërimin apo ndalimit të të miturve, Avokati i Popullit sjell në vëmendjen e autoriteteve qasjen që duhet të kenë ndaj të miturve.
“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit”.
Sjellim në vëmendje të autoriteteve, se: Fëmijët duhet të trajtohen në atë mënyrë, që promovon ndjenjën e tyre të dinjitetit njerëzor dhe vlerave, që lehtëson riintegrimin e tyre në shoqëri (të miturit në konflikt me ligjin), që pasqyron interesin më të lartë të fëmijës dhe, merr parasysh nevojat e moshës, pavarësisht rrethanave. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit. Zbatimi i saj në praktikë, ndër vite ka qenë puna dhe angazhimi maksimal i të gjithë aktorëve publikë dhe jo publikë, por jo vetëm, edhe organizatave ndërkombëtare, institucioneve të pavarura, institucioneve të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e kuadrit ligjor në vazhdimësi, organizimin e trajnimeve të ndryshme, për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve, që janë në shërbim të drejtpërdrejtë me fëmijët, organizimit të fushatave ndërgjegjësuese, ngritjes së institucioneve të reja për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve. Avokati i Popullit dhe KMPDF në vijimësi kanë rekomanduar marrjen e masave nga ministritë e linjës dhe institucionet shtetërore, për informimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për ushtrimin e detyrimeve dhe përgjegjësive në zbatim e legjislacionit të mbrojtjes së fëmijës dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur!”, e mbyll reagimin institucioni i Avokatit të Popullit./tvklan.al