Policia e Lushnjes la të lirë Julian Sulën, një nga personat e shoqëruar në lidhje me atentatin e të mërkurës, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.
Sula u paraqit mesditën e se premtes në komisariatin e Policisë së Lushnjes për të dhënë deklarime mbi ngjarjen, si person që kishte njohje me Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, dy nga atentatorët e dyshuar.
Burime nga grupi i hetimit thanë se Julian Sula është pyetur në lidhje me vendodhjen e tij pasditen e të mërkurës dhe nëse ka patur komunikim me miqtë e tij, Orges Bilbili e Laert Hoxha.
Por hetuesit nuk kanë gjetur fakte dhe prova që e lidhin me atentatin e të mërkurës.
Sula është i njohur nga policia lokale për shkak të precedentëve penalë që lidhen me plagosje të rënda me thikë dhe armë zjarri.
Policia e Lushnjes ka vijuar me shoqërimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni mbi atentatin e së mërkurës. Bëhet fjalë për emra të njohur të grupeve rivale që janë përplasur në të shkuarën dhe kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale.
Tv Klan