Një pjesë e banorëve të Himarës kanë marrë sot certifikatat e pronësisë së shtëpive të tyre të trashëguara.
Në këtë aktivitet në Himarë, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili mohoi që të ketë qëllime të mbrapshta për t’ju marrë tokat banorëve të kësaj zone.
Kryeministri e konsideroi poshtërsi propagandistike idenë se ka një plan nga Tirana për t’ju marrë tokat banorëve dhe për t’ju a dhënë të ashtuquajturve oligarkë.
Rama theksoi se janë në proces përpunimi edhe 4 mijë tituj të tjerë pronësie për shtëpitë e trashëguara të banorëve të Himarës.
FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
Është folur shumë dhe është abuzuar shumë duke e treguar këtë çështje si një çështje që lidhet thjesht dhe vetëm me Himarën. Madje ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrën shumë djallëzore nga ata që nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç shfrytëzimit të shqetësimit legjitim të banorëve për të çuar përpara interesat e tyre shumë të ngushta politike. Interesa të ngushta politike që nuk kanë asnjë lidhje as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me fqinjët.
Të njëjtën çështje, të njëjtin shqetësim, të njëjtin problem kanë banorët e Thethit, e kanë banorët e Tropojës, banorët e Kukësit, e kanë banorët e Malësisë së Madhe dhe e kanë banorët e Himarës deri poshtë në Sarandë.
S’ka pasur kurrë asnjë lloj qëllimi apo asnjë lloj prapamendimi për ta penguar zgjidhjen e këtij problemi. Aq më tepër që unë nuk jam nga Tropoja, unë jam edhe nga Himara, që do të thotë që nuk do kisha asnjë arsye në botë që të mos bëja të pamundurën njësoj si për Tropojën si për Himarën, si për Thethin, Malësinë e Madhe, Kukësin dhe Sarandën.
Kjo çështje ka të bëjë me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemit dhe pasi në shumë zona nuk është pranuar ligji 7501. Kjo ka penguar edhe vetë regjistrimin e shtëpive të trashëguara të cilat kanë qenë aty dhe janë aty. Këtu pastaj është shtuar edhe një tjetër shtresë poshtërsie propagandistike sikur kjo bëhet për t’i marrë pronat banorëve dhe trashëgimtarëve legjitim të Himarës dhe për t’ja dhënë të ashtuquajturve oligarkë.
Ju e dini më mirë nga të tërë që e para, nuk ka asnjë metër katrorë nga Llogaraja deri në Ksamil që t’i jetë marrë një pronari legjitim apo një trashëgimtari dhe t’i jetë dhënë dikujt tjetër nga shteti. Por ka patjetër situata të rënda që janë zhvilluar në vitet përpara se sa ne të vinim në qeveri ku me AMTP është bërë një lojë shumë e ndyrë kriminale dhe ku në pika të caktuara janë shfaqur përmes tyre si pronarë të lidhur me pushtetin e atëhershëm të cilët i kanë vënë trashëgimtarët përpara një zgjedhje që ose të pranojnë të shesin pronën e tyre, nuk ka një metër katrorë këtu që nuk është shitur, por asokohe shitja kishte mbi kokë edhe kërcënimin që po nuk e shite ti s’ke për ta gëzuar asnjëherë se këtu s’ka për t’u bërë kurrë asgjë. Kjo ka qenë historia më parë. Kush thotë që i janë marrë pronat himariotëve dhe i kanë kaluar dikujt tjetër pa atë miratimin e tyre, thotë një gënjeshtër shumë të madhe.
Ndërkohë që, ne jo vetëm prej vitesh pronat këtu shiten nga banorët për zhvillim dhe shiten me çmime që nganjëherë janë dyfishi apo trefishi i çmimeve në Korfuz, por shiten dhe nga 2 herë për faktin që zhvilluesit për të mos pasur probleme kur dikush tjetër i paraqitet e paguajnë edhe atë, paguajnë dhe të tretin për të njëjtën tokë.
Ideja që nga Tirana ka një plan për të zhveshur himariotët nga pronat dhe për t’i vënë ato prona në dispozicion të oligarkëve është një poshtërsi propagandistike që nuk bazohet në asnjë fakt real. Le të dali njëri të thotë mua ma morën dhe unë nuk dija gjë fare. Nuk ekziston. Dhe që të jemi të qartë. Flasim për prona të cilat janë të mbështetura në letra dhe janë në letra që janë të lidhura me banorë këtu. Natyrisht e thashë dhe më parë që ka probleme të regjistrimit, ka konflikte dhe mosdakordësi mes banorëve apo dhe brenda një familje dhe kjo shkakton atë që thashë që shpeshherë pronat këtu shiten nga 2 herë e nga 3 herë.
Unë flas me fakte. E njoh kaq mirë, sepse jam marrë me këtë gjë, edhe këto 437 certifikata që kemi këtu sot dhe janë 4000 për t’u bërë, janë bërë me shtytjen nga mbrapa për pjesën më të madhe falë prefektit të cilit ja kam kërkuar që ditën e parë. I kam thënë ke prioritetin nr.1 dhënien e certifikatave të shtëpive të trashëguara të të gjithë himariotëve.
/tvklan.al