Kryeministri Edi Rama është sot në Himarë nga ku ka nisur sot shpërndarja e 437 titujve të pronësisë përgjatë këtij viti për të gjithë shtëpitë e trashëguara në zonat kadastrale me probleme kronike, si Thethi, Vermoshi, Tropoja e me radhë në veri dhe Himara e Saranda në jug. Vetë kryeministri Rama ka deklaruar se ky proces do të vijojë në Theth në fund të muajit Qershor.

Edi Rama: Fakti që sot po e bëjmë këtë proces nuk po e bëjmë se e ka vetëm Himara. Në fund të Qershorit do të jem në Theth, shtëpitë e të parëve që nuk kanë marrë certifikata akoma sot. Është një nga pikat më të vizituara sot, edhe atje hotelet janë plot, është një problem që nuk ka të bëjë fare me broçkullat që ju kanë mbushur kokën dhe më vjen shumë keq për këtë. Himariotët janë himariotë dhe pikë, secili e di vetë ku i ka rrënjët, ama ne nuk i ndajmë shqiptarët as në veri dhe as në jug dhe jo më të ndajmë himariotët. Mes shqiptarëve, himariotët janë njisha, politikë nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër, politikë globale, jo lokale.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka deklaruar se deri në fund të vitit do të jepen 4 mijë certifikata për shtëpitë e trashëguara.

Edi Rama: Ai që bërtiti atje sa kushtojnë ato, ato kushtojnë zero Lekë dhe ju beso dhe kontrollo dhe do të shikoni se cepin e keni sa e kishit pa e marrë, të tëra falas se janë shtëpitë e tuaja. Himara ka nevojë për qetësi dhe zhvillim, do të ngjitet shumë lart dhe nga ngjitja do të përfitoni. Ju lutem shumë aplikoni për të marrë pronën dhe bëjeni aplikimin si duhet se na keni në ndihmë. Por pa aplikime dhe me fjalë goje, em llafe rruge dhe pastaj fillon, jo ky, jo ja mori e jo s’ja mori, nuk ecën. Ndërkohë që 4 mijë certifikatat për shtëpitë e trashëguara do të jepen brenda këtij viti. Perfektura dhe perfekti është adresa për çdolloj problemi që ju keni. Prefekti e ka detyrën kryesore që ta zgjidhë këtë çështje.


/tvklan.al