Një shpërthim i fuqishëm tronditi Islamabadin, kryeqytetin e Pakistanit.
Një kamikaz u hodh në erë pranë një postblloku policor të vendosur afër xhamisë së kuqe duke i marrë jetën të paktën 11 policëve. Dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Sulmi ndodhi gjatë një manifestimi të mijëra islamikëve në përkujtim të tragjedisë së xhamisë së kuqe një vit më parë.
Forcat e policisë kanë pikasur një person, i cili po ecte në këmbë dhe me t’u afruar postbllokut hodhi veten në erë.
Menjëherë pas shpërthimit besimtarët u larguan, ndërsa në vendngjarje mbërritën ambulancat dhe forca të shumta të policisë.
Më herët mijëra islamistë dhanë mbështetjen e tyre për xhihadin ose luftën e shenjtë myslimane në përkujtim të tragjedisë së një viti më parë kur më shumë se 100 persona u vranë pasi ushtarakët u futën në ambientet e xhamisë së kuqe për t’i dhënë fund një ngujimi një javor të studentëve dhe besimtarëve./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle