Ka katër vite që Kristina ka ndaluar së qeshuri pasi ka humbur një ndër personat më të dashur të familjes.
Sot nisi ndryshe rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” teksa Ardit Gjebrea dhe zonja Hamite na prezantojnë me mesazhin e dytë.
“Para 4 vitesh e 4 muajsh ka humbur jetën Ervini, i cili do festonte ditëlindjen e 24 pas dy ditësh. Ai erdhi nga shkolla në Tiranë për Vitin e Ri në datën 31 me djalin e vëllait dhe merr disa gjëra për të ikur tek daja. Kishin futur zgarën e qymyrit brenda në shtëpi pasi e kishin fikur dhe kishin mbyllur edhe derën, u asfiksua nga tymi i qymyrit. Kam vajzën Kristina dhe bashkëshortin. Mua nuk më dilte asnjë fjalë për më shumë se katër muaj, më mungonte Ervini. Ishte një djalë i qeshur, asnjëherë nuk e shikoja të mërzitur. Motivi që më ktheu dëshirën për të jetuar akoma ishte vajza. Një ditë më thotë:”Mami, të gjithë më thonë që je shumë sëmurë, nuk më do mua, vetëm Ervinin.” Nuk i ktheva përgjigje dhe fillova të flas me njerëzit që më qëndruan pranë, por më mbyste dhimbja. Tani është vajza, ajo që ka katër vite që nuk del më. Kristina ka mbrëmjen e maturës dhe nuk do të iki, por janë shokët dhe shoqet e klasës që i qëndrojnë pranë. Sot kam ardhur këtu vetëm për Kristinën. Unë sot jam, nuk e di sa do jem. Jam me shpirt tek Ervini, marr frymë për Kristinën. Unë jam dakord për gjithçka të mirë për Kristinën. Jam komplet e vrarë. Gëzimi i saj më bën të lëviz”, tregon Hamite.
Në studion e së Dielës Shqiptare vijnë shokët e klasës së Kristinës:
“Ne kemi ftuar shoqen tonë. Unë Kristinën e njoh që në klasën e parë, por në klasën e 8-të asaj i’u nda nga jeta vëllai dhe u transferua përsëri në shkollën tonë. Ajo ishte e trishtuar, rrinte ftohtë dhe nuk merrte pjesë në aktivitetet tona. Tani ajo është shumë e mbyllur,asnjëherë nuk kërcen. Pavarësisht se është e tërhequr ajo është shumë e lidhur me ne. Ditët kur ajo nuk vinte në shkollë ne e ndienim mungesën e saj. Të gjithë kemi firmosur për festën e maturës dhe mungon vetëm firma e saj. Sot kemi ardhur për të marrë një premtim që ajo të bëhet pjesë e mbrëmjes sonë, sepse nuk do të kishte kuptim pa atë.”
Gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkoi në Roskovec për t’i dhënë mesazhin Kristinës, e cila e pranoi ftesën dhe erdhi në studio. Pas mesazhit nga miqtë e saj ajo pranoi dhe firmosi për të shkuar në mbrëmjen e maturës. Në momente të tilla të vështira si ai që po kalon Kristina, ilaçi më i mirë shërues është dashuria e pakufishme e të ëmës Hamite dhe miqve të saj të ngushtë.
/tvklan.al