Lajme Arkiva – TV Klan 2001
U luajt takimi midis Shpresës sonë dhe asaj të Anglisë, i cili u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” sot pasdite. Përsëri humbje, por në ndryshim nga ndeshjet e kaluara, 21 vjeçarët tanë zhvilluan një lojë dinjitoze, që u ndëshkua me një 11 metërsh të paqenë, akorduar në minutën e 31 të pjesës së dytë nga gjyqtari qipriot, në favor të britanikëve.
Mesfushori britanik me numër 8 Greening, e ekzekutoi dy herë këtë 11 metërsh dhe duke mposhtur portierin e shkëlqyer Mustafa, i fali kështu 3 pikë të vlefshme skuadrës të përfaqësueses të Anglisë. Gjithsesi edhe pse u mundëm me rezultatin minimal 0-1 dhe nuk shijuan të paktën fitimin e një pike, duhet thënë se 21 vjeçarët tanë u drejtuan me shumë mjeshtëri nga dyshja e re Hitaj – Zëri, të cilët kanë marrë drejtimin e skuadrës sonë Shpresa, pas dorëheqjes së trajnerëve Kasmi – Muça./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Grillo