Policia blindon rrugët, kontrolle të shtuara në të gjitha qytetet
E enjtja e 11 Shkurtit i ka mbyllur të gjithë shqiptarët në orën 20:00 të mbrëmjes, kufizim që zgjat deri në 06:00 të mëngjesit! Një vendim i tillë vlen për lëvizjen e njerëzve, por edhe për baret e restorantet, të cilat janë konsideruar si vatra kryesore të përhapjes së infeksionit.
Siç shihet nga pamjet e fokusuara nga kamera e televizionit kombëtar Klan News, në rrugët e kryeqytetit nuk ka munguar trafiku pasi qytetarët nxituan të mbërrinin në orar në destinacionin e tyre. Po ashtu edhe efektivët e policisë vendosen postblloqe të shumta në pika të ndryshme të Tiranës për të kontrolluar automjetet e shumta që qarkulluan dhe pas orës 20:00.
Edhe nëpër qytete të tjera të vendit nuk munguan kontrollet e shumta nga forcat blu që kryesisht këshilluan dhe u komunikuan qytetarëve masat e reja kufizuese.
Lidhur me orën e re policore, të mërkurën Kryeministri Rama u shpreh se të gjithë duhet t’i respektojnë këto masa, përfshirë këtu edhe partitë politike, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim. Masat do të qëndrojnë në fuqi deri më 25 Shkurt. Po ashtu edhe ministrja Manastirliu ka theksuar se këto 2 javë do jenë shumë të rëndësishme, pasi në varësi të tyre do të vlerësohet nëse do të ketë lehtësim ose jo në vijim.
Klan News