Procesi teknik i quajtur ndryshe si procesi “screening” është faza e parë përgatitore para hapjes se negociatave për anëtarësim në BE për vlerësimin analitik të legjislacionit shqiptar nëse është në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Tashmë, Shqipëria do të duhet që të përgatisë një udhërrëfyes ku të identifikohen reformat kryesore që ky shtet do të ndërmarrë sipas kapitujve 23 dhe 24 të sundimit të ligjit që pritet te hapen të parat në negociata.

Komisioni Evropian do t’i raportojë Këshillit Evropian në muajin Nëntor mbi shkallën e gatishmërisë së Shqipërisë për të nisur zyrtarisht negociatat.

Të 27 shtetet anëtare duhet të vendosin me unanimitet, në bazë të propozimit të Komisionit nëse në fillim të vitit 2024 me Shqipërinë, do të nisin zyrtarisht negociatat për grup-kapitullin e parë.

Në kuadër të procesit të rishikimit të legjislacionit me BE-në janë zhvilluar në këto muaj mbi 40 takime në Komisionin Evropian në Bruksel mes zyrtarëve të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve të ekipit negociator të Shqipërisë. Shqipëria do të negociojë duke nisur nga fillimi i vitit 2024 për 33 kapitujt e anëtarësimit të ndarë në gjashtë grupe.

Shtetit të fundit të anëtarësuar në BE-Kroacisë iu deshën dhjetë vite për të përfunduar negociatat per të gjithë kapitujt e legjislacionit europian. Në Mal të Zi dhe në Serbi, ky proces po merr më shumë kohë. Serbia ka nisur negociatat me Bashkimin Europian në vitin 2014 dhe në nëntë vite ka hapur negociatat për 22 kapituj.

Mali i Zi i ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2012 dhe në 11 vite ka hapur për diskutim 33 kapitujt e anëtarësimit.

Klan News