Vendos penalltia e realizuar nga Çekiçi
Shqipëria e mbylli me fitore dhe në vendin e tretë në grup fushatën kualifikuese të Botërorit 2022. Kombëtarja me shumë mungesa për shkak dëmtimesh dhe kartonësh mundi me rezultatin 1 – 0 Andorrën në një lojë ku vuajti dhe golin e vetëm e gjeti në minutën e 73’.
Kuqezinjtë krijuan aksione dhe patën raste, por lejuan edhe kundërshtarin të rrezikonte portën e Strakoshës. Në pjesën e dytë Shqipëria u shfaq më kërkuese dhe nga përpjekjet u arrit të shënohej.
Një penallti e fituar nga Myrto Uzuni u kthye në gol nga Endri Çekiçi. Ky takim u zhvillua pa praninë e publikut për shkak të dënimit të FIFA-s. Shqipëria e mbyll fazën kualifikuese të një turneu në kuotën e 18 pikëve një rekord për kuqezinjtë në një Kampionat Europian apo Kupë Bote.
Në takimet e tjera të grupit Anglia mundi thellë 10 – 0 San Marinon, ndërsa Hunagria fitoi 2 – 1 në fushën e Polonisë.
Tv Klan