Barazimi i Shqipërisë me Kroacinë u pa si një fitore nga tifozët kuqezi, por ata kroatë e kanë cilësuar si një dështim. Në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj, në Klan News, menaxheri kroat i futbollit, Matko Djarmati ka thënë se mediat janë shprehur shumë kritikuese ndaj ekipit të Kroacisë.

Djarmati tha se lojtarët kryesorë të skuadrës dhanë një perfomancë të dobët, megjithëse disa prej tyre nuk ishin në formën më të mirë.

“Një ndeshje shumë e keqe nga ana e Kroacisë. Mediat kroate ishin shumë ta ashpra kundër Kroacisë, ata mendojnë se rezultati i sotëm ishte një rezultat shumë i dobët. Lojtarët kryesorë nuk i shikoj në nivele shumë të larta. Perisiç, Brozoviç dhe Modriç nuk ishin në nivelin e duhur. Perisiç ka ardhur nga një dëmtim shumë i rëndë, është operuar para 7-8 muajsh, duhet të jemi të surprizuar të shohim Perisiç në fushë. Mendoj se këta tre lojtarë që ishin pikat e forta të Kroacisë sot ishin në fushë vetëm për një pikë kundër Shqipërisë,” tha menaxheri kroat.

Perfomancën e dobët të Kroacisë në ndeshjen me kombëtaren kuqezi, menaxheri kroat nuk e ka cilësuar si një neglizhencë ndaj kundërshtarit, megjithatë ai tha se Shqipëria mund të kishte fituar që në pjesën e parë të lojën me rezultatin 3-0.

“Nuk besoj se ishte një nënvlerësim. Më besoni ata kanë bërë çdo gjë për ndeshjet me Kroacinë. Nëse sot Kroacia do të kishte fituar do të kishte kaluar grupin. Unë mendoj se 2-2 për Shqipërinë është një rezultat real. Mua më vjen keq për Shqipërinë sepse pjesa e parë do të kishte mbaruar 3-0 për Shqipërinë dhe lojtarët nuk kanë reaguar saktë në momentet e caktuar,” përfundoi Matko Djarmati./tvklan.al