Fundi i luftërave në ish Jugosllavi ka rigjallëruar rrugën e Ballkanit për trafikun e drogërave mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Sipas specialistëve kjo rrugë kalon nga Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Në një raport të muajit janar, OKB thekson se rruga e Ballkanit njihet si rruga tranzit për më shumë se 80% e heroinës që mbërrin në vendet e BE-së. Kështu vitin e kaluar në Bullgari u kapën rreth 2 ton drogë, shumica në zonën kufitare me Turqinë.

Përveç rrugës Bullgari, Rumani, Hungari me destinacion veriperëndimin e Europës, specialistët vërejnë se ekziston dhe rruga tjetër. Edhe ajo zë fill në Turqi dhe kalon në Maqedoni, Shqipëri dhe përfundon në Itali. Shefi i antidrogës dhe krimit të organizuar të Bullgarisë vëren se grupet e trafikantëve shqiptarë kanë arritur të fusin kthetrat në të dyja rrugëkalimet e drogës.

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë në Vienë, shqiptarët e Kosovës rezultojnë të jenë kapot e trafikantëve të arrestuar. Drejtuesit rajonalë të luftës antidrogë ndjekin me shqetësim përpjekjet për liberalizimin e përdorimit të kanabisit në Zvicër. Ata druhen se mos ky liberalizim tërheq dhe konsumatorë nga Franca, Italia, Austria dhe Gjermania si dhe shtete që ndodhen rreth saj. Për rrjedhim mund të favorizohet një trafik i organizuar nga mafia shqiptare./tvklan.al