Nisin gjobat për ata që lëvizin pa autorizim
E enjtja ka shënuar edhe ditën e dytë të kufizimit të lëvizjes. Të vetmit që sheh në rrugë janë automjetet që kanë marrë leje tek portali e-Albania, si dhe forca të shumta policie që bëjnë kontrollin e automjeteve dhe drejtuesve për autorizimin e lëvizjes.
Ora shënon 22:30 minuta dhe asnjë automjet apo qytetar nuk lejohet që të qarkullojë, sipas vendimit të qeverisë. Po ashtu edhe baret, restorantet dhe lokalet e natës janë të mbyllur
Ndryshe nga nata e parë, prej mbrëmjes të së enjtes individët dhe drejtuesit e automjeteve që lëvizin pa autorizim gjatë kohës së izolimit ndëshkohen me gjoba nga uniformat blu.
Ndërkohë që të gjithë ata që kanë arsye shëndetësore, emergjenca të ndryshme apo i duhet të shkojnë në punë gjatë natës, mund të aplikojnë për autorizim pranë portalit e-Albania.
Portali ofron dy kategori lejesh, për ata që duan të lëvizin për shkak të punës dhe ata që lëvizin për arsye të tjera, me ose pa makinë. Në rastet e lejes për punë, sistemi gjeneron vendin e punës dhe leja ju vjen me email.
Në rast të lejes së domosdoshme, duhet të shkruani arsyen, datën dhe orën e lëvizjes. Leja e domosdoshme mund të merret për shkaqe mjekësore, raste emergjencash, apo për të shkuar në aeroportin e Rinasit.
Si të merrni leje
– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Leje për dalje”
– Klikoni butonin “Përdor”
– Përzgjidhni llojin e lejes që ju nevojitet
Në rast se ju nevojitet leje për punë:
– Përzgjidhni opsionin “Leje për punë”
– Përzgjidhni mënyrën e qarkullimit “Me mjet” ose “Pa mjet”
Në rast se ju nevojitet leje për arsye të domosdoshme:
– Përzgjidhni opsionin “Leje për arsye të domosdoshme”
– Shkruani saktë datën dhe arsyen e lëvizjes
Tv Klan