Viti 2024 shënoi rekord për numrin e vizitorëve të huaj, ku shumica prej tyre pas shqiptarëve të Kosovës janë italianë. Sipas të dhënave të marra nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, 2024-a u mbyll me 1.3 milionë vizitorë nga Italia.

“Në krahasim me vitin 2023, kohë kur nga janari deri në dhjetor në Shqipëri pati rreth 951 mijë hyrje nga Italia, në vitin 2024 kjo shifër u rrit me 32%”, raporton gazetarja e Tv Klan, Dorina Halili.

Turistët italianë nuk mungojnë as në muajin e parë të këtij viti.

“Jemi nga Italia, sapo kemi ardhur në Tiranë dhe do të qëndrojmë 2 ditë. Alpet këtu në Shqipëri më kanë pëlqyer shumë, ishte shumë bukur.”

“Nuk e kisha parë asnjëherë Shqipërinë dhe duke qenë se më pëlqen të udhëtoj nëpër botë e zgjodha dhe kam shumë kuriozitet që ta shoh edhe më shumë.”

Pas vendeve të rajonit dhe Italianëve, grupet me numrin më të lartë të hyrjeve ishin gjermanët, turqit, dhe anglezët.

Interes në rrije vërehet edhe nga turistët e vendeve të largëta si Kanadaja.

“Jemi nga Kanadaja. Është fantastike, me ndërtesa të reja, por edhe historike, kështu që jemi surprizuar sesa bukur është.”

“E kishim parë Shqipërinë në YouTube dhe kemi lexuar online. Arkitektura e vjetër këtu është mahnitëse.”

Ndër grupet me rritjen më të madhe të interesit për të ardhur në Shqipëri në krahasim me vitin 2023 rezultojnë indianët, kinezët dhe francezët.

Tv Klan