Shumë pranë Greqisë dhe Italisë, Shqipëria po bëhet një nga vendet më tërheqëse për pushime në Evropë, shkruan Ella Glover në gazetën e përditshme britanike “Metro”.
Ende i pacënuar, ky vend ballkanik me 2.8 milionë banorë është një nga destinacionet me kosto më të përballueshme në Evropë.
Me plazhe verbuese, peizazhe të bukura, kuzhinë të larmishme dhe vendas miqësorë, Shqipëria është e ngjashme me Greqinë, vetëm se këtu çmimet nuk janë të larta dhe vendi nuk është prekur ende nga turizmi masiv.
Gazetarja shkruan se xhevahiret në kurorën e kësaj parajse të Adriatikut janë Lukova dhe Ksamili, dy vende në Rivierën Shqiptare me plazhe që industria e udhëtimeve edhe TikTok i kanë cilësuar si ‘Maldivet e Evropës’. Por, ndërkohë që Ksamili ka fituar vëmendje gjatë vitit të kaluar, Lukova mbetet goxha e pa zbuluar.
Fshati është një udhëtim i shkurtër me varkë nga ishulli grek i Korfuzit dhe një orë me makinë nga Syri i Kaltër në jug, një burim i bukur malor që është një nga atraksionet kryesore të Shqipërisë.
Një nga mënyrat më të mira për të arritur në Lukovë nga Britania e Madhe është të fluturosh për në Korfuz dhe të kapësh tragetin për në Sarandë, me një kosto prej 26 Euro për person.
Nga atje, është 25 minuta me makinë deri në Lukovë. Mund të marrësh me qira një makinë ose të kapësh një minibus që shkon në veri, informon gazetarja qytetarët britanikë.
Ajo sugjeron edhe vendet ku mund të qëndrohet në Lukovë, ku çmimet e hoteleve fillojnë nga rreth 25 Euro për natë në maj, krahasuar me 67 Euro në gusht.
Britanikja thotë se përveçse hotelet janë më të lira në maj, fluturimet gjatë këtij muaji janë nga më të lirat gjatë gjithë vitit, veçanërisht nëse udhëtoni drejt Tiranës.
Sipas medias britanike “Metro”, në varësi të vendit ku shkoni në Shqipëri, mund të hani një vakt në një restorant të lirë nga 4 deri në 6 Euro.
Klan News