Shqipëria U-19 shkëlqeu në miqësoren e dytë ndaj Lihtenshtejnit, duke triumfuar me shifrat e thella 6-0.
Një sfidë pa shumë histori, e dominuar totalisht nga kuqezinjtë e Julian Ahmatajt, ashtu si miqësorja e parë, të cilën e fituan 4-0.
Kuqezinjtë e nisën mirë dhe e spostuan lojën në mesfushën e kundërshtarëve, duke iu afruar vazhdimisht portës së Lihtenshtejnit. Sfida u zhbllokua në minutën e 27-të nga Glenis Belloj, që nuhati gjithçka dhe u gjet në momentin e duhur në qendër të zonës, duke shtyrë në rrjetë një top që erdhi pas një krosimi nga e djathta.
Dyfishimi erdhi në minutën e 39-të me Ergi Bastarin, i futur në lojë si zëvendësues në pjesën e parë, i cili finalizoi bukur me një gjuajtje diagonale me të djathtën pas një kundërsulmi të shpejtë të kuqezinjve. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 2-0 për Shqipërinë, ndërsa trajneri Ahmataj rifreskoi forcat në pjesën e dytë duke bërë disa zëvendësime.





Kuqezinjtë e nisën menjëherë fort edhe fraksionin e dytë me Frederik Toskun, që realizoi golin e 3-0 në minutën e 47-të, në një kohë që zëvendësuesit u shfaqën protagonistë. Ariel Krajka gjeti rrugën e rrjetës për të fiksuar pokerin kuqezi dhe në minutën e 66-të, James Noreci goditi saktë me një kthesë me të majtën, duke çuar shifrat në 5-0.
Goli më bukur i sfidës ishte padyshim ai i realizuar nga Dejvi Duro në minutën e 69-të të sfidës, me mesfushorin që realizoi nga një goditje dënimi.
Të dyja miqësoret u zhvilluan në fushën e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë. /tvklan.al