Ambasada gjermane: Rajon me rrezikshmëri, mundësi të kufizuara për testime të Covid-19

Gjermania vijon ta kategorizojë Shqipërinë në listën e saj të zezë sa i përket situatës së pandemisë. Ambasada gjermane në Tiranë thotë se Ministria e Jashtme Federale vazhdon të paralajmërojë mbi të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme për në Shqipëri. Kjo do të vlejë deri më 31 Gusht të 2020-s.

“Shqipëria kategorizohet aktualisht nga institucionet kompetente shëndetësore gjermane si rajon me rrezikshmëri për shkak të situatës epidemiologjike të Covid-19”.

Ndër të tjera, ambasada njofton qytetarët e saj që të marrin në konsideratë faktin që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane.

“Ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19”, thuhet në deklaratë.

Për të gjithë ata persona që duan të udhëtojnë nga Shqipëria për në Gjermani me çfarëdo lloj rruge, ajrore apo tokësore, janë të detyruar që të lajmërojnë institucionet shëndetësore në vendin e qëndrimit t në Gjermani. Këta persona duhet t;i nënshtrohen një karantine shtëpiake prej 14 ditësh.

“Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pavarësisht qëllimit të udhëtimit”.

Ambasada gjermane njofton qytetarët se në Shqipëri nuk ka aktualisht laboratorë të cilët kryejnë në varësi të dëshirës teste për Covid-19./tvklan.al