Telenovelat dhe audienca në rritje për to gjatë viteve të fundit është kthyer në një fenomen të padiskutueshëm. Të gjitha televizionet shqiptare kanë pjesë të tyren edhe filmin me seri.

Telenovelat që kanë patur sukses disa vite më parë në vendet e Amerikës Latine, Turqi apo Itali i gjejmë tani edhe në ekranin shqiptar. Gjatë viteve të fundit është vënë re edhe një ndarje mes audiencës në pro dhe kundër tyre.

Disa e konsiderojnë një humbje kohe dhe nënvizojnë se përzgjedhësit duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj tyre, të tjerë se janë një formë argëtimi për shikuesit, kryesisht e publikut femëror.

Telenovelat e para dhe përhapja më e madhe e tyre ka qenë prurja braziliane, e ndjekur më pas nga telenovelat turke. Për këto të fundit qarkullon dhe ideja që ky vend përpiqet të përhapë kulturën turke sa më shumë në vende të ndryshme të botës. Vetëm gjatë një viti janë prodhuar më shumë se 100 telenovela turke, të shpërndara në 20 vende, duke sjellë një fitim për prodhuesit e tyre më shumë se 60 milionë Euro.

CIlësia e tyre nuk ka qenë kjo që është sot. Tanimë kemi një cilësi më të përmirësuar, aktorët dhe mënyra e filmimit të tyre është më profesionale. Por humbja e kohës është një nga gjërat që kritikohet më shumë. Një pjesë e atyre që merren me studimin e sjelljes së audiencës besojnë se telenovelat mund të krijojnë edhe varësi të mirëfilltë, duke bërë që të qëndrosh për orë të tëra përpara televizorit.

Nga ana tjetër nuk përjashtohen dhe disa nga anët pozitive, mes të cilave edhe sensibilizimi më i madh për problemet e shoqërisë apo familjes. Thuhet shpesh se shqiptarët janë më të apasionuar se vendet e tjera, të paktën fqinjët, në ndjekjen e telenovelave, por për këtë ende nuk ka sondazhe përfundimtare.

Telenovelat janë bërë objekt i diskutimeve të përditshme, po aq edhe diskutime sociologësh apo psikologësh për ndikimet e tyre, por e sigurt është që kemi të bëjmë me një rekord audience gjatë transmetimit të telenovelave.

Për të diskutuar mbi “telenovelomania” në emisionin “Opinion” ishin të ftuar regjisori Artan Minarolli, aktori Xhevdet Ferri, gazetarja Fjodora Fjora, aktori Agron Llakaj, regjisori Bledar Laço, administratorja Karmen Gjani, producenti televiziv Artan Huqi dhe kryeredaktorja e revistës “Harmoni” Armina Mevlani./tvklan.al