Shtimi i shifrave të turistëve të huaj në vend që prej fillimit të vitit dhe pritshmëritë për një sezon të frytshëm ka bërë që sektorë si shërbimet apo tregtia të rrisin kërkesën për hua nga bankat për të investuar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në muajin Prill të këtij viti, bëjnë të ditur se në tërësi biznesi u kreditua me 24.8 miliardë Lekë, duke u rritur me 10.9 miliardë Lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Nga një analizë e shifrave të huasë së re për biznesin të cilësuar sipas aktivitetit ekonomik, rezulton se nga sektorët që janë mbështetur më së shumti nga kreditë janë tregtia me shumicë dhe pakicë, shërbimet, energjia, transporti e arsimi.
Në të kundërt, të dhënat nga institucioni i bankës tregojnë se sektorët që i’u drejtuan më pak bankave për kredi ishin ndërtimi, bujqësia, industria, shëndetësia e artet.
Referuar shifrave vihet re se huatë e reja të dhëna gjatë muajit Prill të këtij viti drejt subjekteve private të cilësuara sipas aktivitetit të tyre ekonomik konfirmojnë se këtë viti Shqipëria pret një rritje të numrit të turistëve me gati 40 % ndërsa në total shifra parashikohet të arrij në 15 milionë vizitorë të huaj.
Tv Klan