Histori me zhurmues-Historia e tyre është tejet e veçantë. Bëhet fjalë për historinë e familjes së Lutfi Varfit. Ai ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku rrëfeu më tepër detaje rreth punës si kovaçë të familjes së tij.
Gjatë emisionit ai tregoi se e gjithë familja ka trashëguar zanatin e kovaçit dhe se ai bashkë me bashkëshorten kanë ndërtuar jetën e tyre gjatë punëve në hidrocentrale të ndryshme ku kanë lindur edhe 10 fëmijë.
“Ne jemi quajtur ndryshe si “shtegëtarët e dritës”. Babai im ka punuar bashkë me nënën gjithë jetën në hidrocentrale, ku kanë lindur edhe 10 fëmijë. Fillimisht babai ka punuar në hidrocentralin e Selitës, më pas në Ulëz, në Shkopet ku edhe jam rritur unë dhe kam filluar aty punë dhe kam lindur fëmijën e parë. Disa vite më vonë erdhi urdhëri për të shkuar në Bistricë të Sarandës. U ambientuam dhe qëndruam derisa mbaroi puna aty.
Më pas kemi ardhur në Vaun e Dejës dhe aty kam lindur 9 fëmijë të tjerë, kam 7 djemë dhe 3 vajza. Kemi punuar shumë. Në vitin 1971 babai im mori titullin “Hero i punës socialiste”, kjo ishte kënaqësi e madhe për ne. Erdhi Enver Hoxha dhe kur e takova nga gëzimi më dolën lotë. Pas disa vitesh në Vaun e Dejës ne na transferuan në Fierzë, ku babi doli në pension dhe i dhanë shtëpi në vendlindje në Burrel. Unë bashkë me familjen qëndruam aty.
Pas Fierzës shkuam në Koman deri kur mbaroi, kemi vuajtur shumë, por jam i kënaqur që nuk na humbi mundi. Nëna ime ka lindur 10 fëmijë, dy prej të cilëve i ka lindur në Bistricë, binjakë dhe ia vunë emrin Hidro dhe Centrale. Vajza e vëllait e ka emrin Drita dhe doli hidrocentrali dhe drita. Jemi familje e madhe, e respektuar dhe e gëzuar. Në familjen tonë 31 persona kanë punuar kovaçë, e kemi trashëguar këtë zanat brez pas brezi”, rrëfeu Varfi.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al