Policia e Rinasit ka sekuestruar 1 milion tableta kontrabandë që përdoren për përgatitjen e lëndëve narkotike. Gjatë aksionit janë arrestuar 5 shtetas nga Kosova, të cilët po tentonin të fusnin mallrat kontrabandë në Shqipëri.
Kjo sasi e barnave u gjet në 13 valixhet, të cilat kishin një peshë prej 471 kg. Gjithashtu gjatë aksionit oficerët e komisariatit të Rinasit i sekuestruan njërit prej këtyre shtetasve edhe 300 mijë euro të padeklaruara në kufi.
Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet e ditur se 5 të arrestuarit do të fusnin në Shqipëri këto medikamente dhe më pas në Kosovë. Ato ishin blerë në Jordani dhe dyshohet se do të përdoreshin për përgatitjen e lëndëve narkotike. Policia shqiptare po vijon hetimet për të zbuluar anëtarët e tjerë të këtij rrjeti ndërsa po shkëmbehen informacione dhe me autoritetet e drejtësisë në Kosovë.
Klan News