Teksa zgjedhjet po afrohen, brenda koalicionit të majtë shtohen zërat që kërkojnë që Ilir Meta të jetë Kryeministër.
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në një takim të zhvilluar me gra e vajza në Pogradec me rastin e 8 Marsit, u shpreh e bindur se LSI do të jetë forcë e parë politike dhe Ilir Meta do të jetë kryetar i qeverisë.
“Kam bindjen që 18 Qershori i këtij viti do t’ju gjejë ndryshe. Do t’ju gjejë jo vetëm me fitore të madhe, por do t’ju gjejë me LSI –në si forcë të parë dhe këtë e kemi të padiskutueshme. Jo vetëm në Pogradec, por në të gjithë Shqipërinë. Dhe mbi të gjitha, ne do të na gjejë me Ilir Metën Kryeministër.”
Kjo deklaratë e Klajda Gjoshës është përforcuar nga një tjetër Ministër i LSI, Edmond Panariti, gjatë një takimi në Pustec.
Vetë Meta, në një takim me gratë e LSI –së në Fier nënvizoi rëndësinë e dhënies së një shansi për të gjithë në politikë. Ky sipas tij është edhe slogani i LSI –së.
“Ne kemi një slogan, që është thelbi i politikës sonë: një shans për të gjithë.”
Edhe Meta e vuri theksin tek roli i gruas në menaxhim dhe politikë dhe tek shanset që i duhen dhënë për të qenë pjesë e ekonomisë reale.
Tv Klan