Suedia e ka nisur nisur me barazim aventurën e saj në eliminatoret e Kupës së Botës 2010 dhe për shtypin vendas fajin për këtë bie mbi rreshtimin e ekipit me skemën 3-5-2. Artikujt e gazetave suedeze që e komentuan këtë zgjedhje si jo të përshtatshme edhe më parë shkruanin, se rreziku në portën shqiptare u krijua vetëm kur topi ishte në këmbët e Zlatan Ibrahimovic. Megjithatë gazetarët nordikë nuk pëlqyen sjelljen e sulmuesit të Inter që debatonte vazhdimisht me shokët e ekipit dhe trajnerin Lagerback.
Ibra në fund nuk përfilli as mikrofonat e mediave suedeze duke u larguar i shoqëruar nga policë. Ibrahimovic sipas shkrimeve të ditës së diel u pengua shumë mirë nga portieri Beqaj dhe prapavija shqiptare. Barazimi i Tiranës përveçse humbjes së pikëve dhe dëmtimit të Tobias Linderoth solli dhe zbehjen e festës së Henrik Larsson që luante ndeshjen e 100 me fanellën e Suedisë. Përfundimi një Shqipëri kompakte që sipas suedezëve do t’i hapë punë të gjithë skuadrave të tjera./tvklan.al
Gazetari: Endrit Sauku