“Festa nuk e largon dhimbjen,” kështu tha në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” pastori Paulin Vilajeti. Duke folur për kontekstin e festave dhe atmosferës festive, ai nuk nguroi që këtë gjë ta paralelizonte me realitetin ku ne jetojmë, duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e fundit të aktualitetit, të cilat kanë tronditur themelet e shoqërisë shqiptare.

Ai u shpreh se shoqëria jonë duke të reagojë sa më parë, sepse sipas pastorit, nëse nuk e bëjmë këtë shumë shpejt do të sundohemi nga fëmijët.

“Unë mendoj dhe besoj se është bukur që të festojmë, që njeriu të jetë duke pritur një festë, por e thashë që në fillim, që ne brenda vetes nuk kemi këtë dashurinë për jetën, që ne brenda vetes nuk pranojmë që pjesë e jetës është edhe dhimbja dhe nuk pranojmë që dhimbja faktikisht i jep më shumë vlerë jetës, për shkak që nëpërmjet dhimbjes njerëzit forcohen më shumë për ta përballuar dhe për të kuptuar. Njerëzit përmes dhimbjes rriten. Gjyshja ime kur ishte gjallë, unë isha i vogël, ajo kishte një shprehje dilte në sallonin e shtëpisë dhe thoshte ‘O Zot faleminderit për të keqen’, dhe i thashë që përse e thoshte. ‘Eh mor bir nëse nuk do të kishim të keqen njeriu del mendsh nga e mira’, thoshte, që domethënë nëse ne nuk do të kalojmë këto dhimbjet dhe të mendojmë se festa largon dhimbjen. Unë nuk mendoj se festa e largon dhimbjen.

Dhimbja është ajo që e ngre njeriun dhe e maturon sa më shumë dhe është gjë tjetër situata ku ne jemi për momentin. Situata ku ne jemi tani Aldo është një situatë ku ti nuk mund ta ndryshosh me asnjë festë. Unë e di se çfarë kam thënë dhe them që nëse ne si shoqëri nuk do të ngrihemi, shumë shpejt ne do të sundohemi nga kalamajtë, sepse ne nuk do u vendosim fre. Një kalamani që nuk di t’i thuash ‘jo’, një kalamani që ti nuk i thua ‘nuk ke për të dalë nga kjo shtëpi sepse unë jam prindi jot’, ai kalama do të shfrenohet shumë shpejt,” tha pastor Paulin Vilajeti./tvklan.al