Me rastin e festës së mësuesit, drejtuesi i programit “E  Diela Shqiptare, në TV Klan, Ardit Gjebrea ishte në Korçë. Kevin, një djalë nga ky qytet kërkoi ndihmën e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, për të realizuar një suprizë për mësuesin e tij.

Kevin rrëfeu se ka qenë një djalë tepër i shkathët dhe gjithmonë ka shkaktuar probleme duke i hapur mjaft probleme vetes. Madje ai thotë se atje ku ishte problemi atje ishte edhe ai. Por në gjithë këtë periudhë të vështirë, ai ka gjetur mbështetje dhe këshilla të urta nga profesori i tij i fiskulturës.

Kevin: Historia ime fillon në vitin 2006, kur mësuesi emërohet në shkollën tonë mësues edukimi fizik. Atëherë isha në klasën e pestë dhe asaj kohe kam qenë i regjistruar në një ekip për moshat. këtu në qytetin e Korçës me ekipin e Skënderbeut.

Ardit Gjebrea: Luaje futboll?

Kevin: Luaja futboll! Kjo më ndihmoi që të kem një njohje më të shpejtë dhe më të afërt me mësuesin duke qenë se ai ishte i edukimit fizik. Gjërat kalonin, kështu kalonin edhe vitet vajtëm në klasën e 7 dhe u rritëm. Këtu filluan edhe problemet pastaj për mua. Nuk e di nga vinin këto problemet, si rridhnin, por duket sikur më ndiqnin.

Ardit Gjebrea: Kush ishte fajtori?

Kevin: Tani që ka kaluar kohë dhe unë jam kthyer në retroskeptivë, e shikoj që unë kam qenë fajtori, por nuk e di nga më buronte ajo energji negative për të krijuar probleme në shkollë të themi.

Ardit Gjebrea:  Po çfarë bëje?

Kevin: Po thjesht në orën e mësimit, trazira, zhurmë, domethënë aty ku ishte problemi, aty isha edhe unë.

Ardit Gjebrea:  Problemi e ka emrin Kevin!

Kevin: Ekzakt! Unë u lidha shumë pas këtij mësuesi, se ai vërtet ishte një njeri serioz që e dashuronte punën e vet. Me të ardhur në shkollën tonë bëri një transformim të shkollës, të themi në aspektin e terreneve sportive që ai krijoi. Krijoi fushë futbolli, terren sportiv për volleyboll dhe fushë basketbolli, që shkolla jonë në atë moment nuk i kishte.

Ardit Gjebrea: Si i krijoi? Me iniciativën e tij, u financua nga shkolla?

Kevin: Ai fillimisht kishte atë dëshirën e tij për të bërë mirë domethënë. Në bashkëpunim me drejtorin e shkollës dhe disa nxënës që ishin më të rriturit e shkollës, që e ndihmonin atë me punë, të hapnin gropat ku vendoseshin shtyllat, ti rrinin pas atij për të realizuar atë që ai donte. Dua të them pak më shumë atë që ai ka bërë për mua, domethënë atë lidhjen e afërt që unë kisha me të. Nga këto trazira që vinin dhe shpejtoheshin, më thërrisnin në drejtori dhe vajtja në drejtori ishte shumë e shpeshtë, ishte bërë e padurueshme dhe prindërit thoshin ta heqim nga shkolla dhe ti zgjidhim problemet. Në një moment më kujtohet tani,kur kam thyer xhamin e shkollës, por e keqja më e madhe është se nuk ishte bërë dita që kisha zgjidhur një problem në drejtori.

Ardit Gjebrea: Sapo ishe rehabilituar!

Kevin: Shkoj me vrap që të përgatisja terrenin, se e shikoja çfarë më priste kësaj rradhe se ishte vërtet serioze. Isha me një shokun tim dhe i thashë të merrte ai përsipër dhe të thoshte që e theva unë.

Ardit Gjebrea:  Ratë dakord?

Kevin: Pranoi ai, domethënë shokët i kisha për vete.

Më tej, tregon se mësuesi e zbuloi që e kishte bërë ai dhe Kevin detyrohet të pranojë fajin. Mësuesi i ofron sërish mbështetje dhe e këshillon atë.

Kevin: Unë kam kontaktuar me emisionin tuaj, “E Diela Shqiptare”, për 3 arsye. Fillimisht unë dua ti shpreh mirënjohje time të thellë këtij mësuesi sepse përveç asaj që ka bërë për mua, unë e shoh si një shembull atë, që profesioni i mësuesit nuk është vetëm i mësuesit si rrogëtar, por si prind dhe më shumë. Që gjithmonë është afër problematikave dhe ato që tejkalojnë problematikat e shkollës. Arsyeja e dytë është që ti kërkoj falje. Edhe pse e di që e kam mërzitur dhe e kam vënë në pozitë të vështirë, edhe përballë kolegëve të tij ku ai këmbëngulte, diskutimet e tij të kolektivit. Dhe së treti, dua ta promovoj figurën e tij si të një mësuesi ideal dhe një edukatori të vërtetë, që të jetë një shembull dhe inspirim për brezat që vijnë për t’u bërë mësues të ardhshëm./tvklan.al